Një analizë e thelluar shkencore ka hedhur poshtë pretendimet se përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë autizëm ose çrregullim të deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD) tek fëmijët, transmeton TVKlan.
Studimi, i publikuar këtë të hënë në revistën prestigjioze The BMJ, nuk gjeti asnjë provë cilësore që të mbështesë një lidhje të tillë.
Kërkimi u zhvillua nga një grup studiuesish nga universitetet dhe institucionet kryesore në Mbretërinë e Bashkuar, Australi dhe Spanjë, në përgjigje të debatit të hapur muajt e fundit për sigurinë e përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë.
Debati u nxit pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump në shtator, i cili u kërkoi grave shtatzëna të “luftojnë me çdo kusht” për të mos e përdorur ilaçin e zakonshëm kundër dhimbjes.
“Ne deshëm të shqyrtonim të gjitha studimet ekzistuese për të kuptuar se çfarë prove shkencore ka realisht”, tha Shakila Thangaratinam, profesore e shëndetit të grave në Universitetin e Liverpool-it dhe një nga autoret e studimit. “Na interesonte cilësia e këtyre studimeve dhe si mund të interpretojmë të dhënat në mënyrë që profesionistët e shëndetit t’ua shpjegojnë saktë nënave dhe familjeve të tyre“, shtoi ajo.
Në analizën e tyre, studiuesit shqyrtuan nëntë meta-analiza të mëparshme që kishin raportuar lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe diagnozave të autizmit apo ADHD-së tek fëmijët.
Por sipas The BMJ, shumë prej këtyre studimeve nuk kishin marrë parasysh faktorë të rëndësishëm shëndetësorë dhe socialë, si gjendja mendore e prindërve, mënyra e jetesës apo faktorët gjenetikë.
Shtatë nga nëntë analizat e shqyrtuara vetë paralajmëronin se rezultatet duhen interpretuar me kujdes për shkak të rrezikut të lartë të paragjykimeve dhe mungesës së provave të forta shkencore.
Përfundimi i përgjithshëm i studiuesve ishte se besueshmëria e gjetjeve mbi këtë temë është “e ulët deri në kritike”, që do të thotë se provat ekzistuese nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar se paracetamoli shkakton këto çrregullime.
Sipas studimit, çdo lidhje e mundshme mund të shpjegohet pjesërisht nga faktorë gjenetikë ose mjedisorë, dhe në rastet kur këta faktorë u morën në konsideratë, lidhja mes përdorimit të paracetamolit dhe autizmit apo ADHD-së u zhduk ose ra ndjeshëm.
Paracetamoli, i njohur edhe si acetaminofen dhe i shitur me emrin Tylenol në SHBA, është një ndër ilaçet e vetme pa recetë që rekomandohen për gratë shtatzëna për trajtimin e dhimbjeve dhe temperaturës.
Në shtator, pas deklaratës së Trump, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) rekomandoi që në etiketat e paracetamolit të shtohej një paralajmërim mbi “provën e kufizuar që sugjeron se përdorimi i tij nga gratë shtatzëna mund të lidhet me rrezik të shtuar për çrregullime neurologjike tek fëmijët”.
Megjithatë, studimi i BMJ kërkon më shumë kërkime cilësore që të marrin parasysh faktorët që mund të ndikojnë në rezultatet përfundimtare, si kohëzgjatja dhe periudha e përdorimit të ilaçit gjatë shtatzënisë.
Profesorja Thangaratinam theksoi se marrja e vendimeve për politikat shëndetësore mbi baza të paqarta shkencore mund të ketë pasoja serioze, duke shtuar se nevojitet më shumë investim në kërkime që fokusohen në shëndetin e grave.
“Ekziston një boshllëk gjinor në shkencë“, tha ajo. “Studime të tilla tregojnë se duhet të investohet më shumë për 51% të popullsisë, gratë, veçanërisht gjatë shtatzënisë”.