Procesi i votimit të diasporës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit pritet të përballet me vështirësi të mëdha, pasi votimi do të zhvillohet vetëm përmes postës dhe jo në përfaqësitë diplomatike, siç ndodhi në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të hënën, u theksua se afatet e propozuara nga sekretariati rrezikojnë që një pjesë e madhe e qytetarëve të mërgatës të mos arrijnë të votojnë, për shkak të vonesave postare dhe mungesës së buxhetit për dërgimin e zarfeve të personalizuara.
PDK: KQZ nuk ka paraparë buxhet për dërgimin e zarfeve – Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Arianit Elshani, kritikoi sekretariatin për mosplanifikim të buxhetit për dërgimin e fletëvotimeve origjinale te votuesit jashtë vendit.
“Elshani tha se KQZ obligohet t’ua dërgojë zarfin e personalizuar secilit votues dhe se mosparashikimi i buxhetit rrezikon të përsërisë problemet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, për të cilat ende po zhvillohen hetime për manipulim të votave të diasporës.”
LVV: Afatet janë të pamundura – rrezikohet komedi me votuesit – Anëtari i VV-së, Alban Krasniqi, deklaroi se votimi përmes postës nis më 12 dhjetor, por për shkak të vonesave postare fletëvotimet do të mund të mbërrijnë tek votuesit deri më 5 janar – shtatë ditë pas përfundimit të procesit zgjedhor.
“Kemi situatë ku do të harxhojmë para dhe do të bëjmë një lloj komedie me qytetarët dhe votuesit,” tha Krasniqi, duke shtuar se as opsioni i avancuar i dërgimit me kode nuk e zgjidh problemin për shkak të pengesave kohore në fundvit.
PDK: Procesi i diasporës duhet të ketë integritet – Anëtari tjetër i PDK-së, Ilir Gashi, tha se KQZ-ja është përgjegjëse për procedurat dhe afatet e votimit me postë dhe theksoi se në zgjedhjet lokale, për herë të parë, votimi i diasporës është zhvilluar me integritet dhe pa ankesa.
Ai paralajmëroi se nuk duhet të përsëritet “procesi i kontaminuar” i 9 shkurtit.
Kurteshi (VV): Dërgimi me postë problematik – emaili rrezikon integritetin – Anëtari i VV-së, Sami Kurteshi, paralajmëroi se dërgimi me postë do të sjellë vonesa të pashmangshme, të cilat nuk varen nga KQZ-ja, por nga operatorët e jashtëm.
Sipas tij, përdorimi i fletëvotimeve me email do ta lëndonte integritetin e procesit.
“Detyra e KQZ-së është të gjejë metoda që të mos dëmtohet procesi zgjedhor”, tha Kurteshi, duke theksuar se është e pakuptimtë të planifikohet buxhet për një opsion që dihet paraprakisht se nuk do të funksionojë.
Miratohet buxheti për zgjedhjet – Në këtë mbledhje, KQZ miratoi edhe buxhetin për zgjedhjet e 28 dhjetorit, i cili do të jetë 7,771,486.56 euro.
Në qendër të shqetësimeve mbetet rreziku që mijëra qytetarë të mërgatës të mos arrijnë të votojnë për shkak të vonesave dhe mungesës së planifikimit logjistik, ndërsa partitë politike kërkojnë garanci që procesi të mos kontestohet si në zgjedhjet e kaluara.