Nga Vendi
6 February 2026
Fronti Europian dorëzon në Kuvend propozim-ligjin: provimi i jurisprudencës të jepet edhe në shqip

Grupi parlamentar i Frontit Europian ka dorëzuar në Kuvend propozim-ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Provimin e Jurisprudencës, duke kërkuar që ky provim të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, tha se refuzimi i Ministrisë së Drejtësisë për mbajtjen e provimit në shqip cenon barazinë gjuhësore dhe juridike, si dhe godet themelet e rendit kushtetues dhe bashkëjetesës ndëretnike në vend.

 

Sipas saj, ministri i Drejtësisë po vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjin, duke shkelur parimet e shtetit të së drejtës. Ajdari bëri të ditur se krahas këtij propozim-ligji, Fronti Europian ka dorëzuar edhe ndryshime në ligjin për noterim dhe në ligjin për përmbarim.

 

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, deklaroi se ligji aktual, në fuqi që nga janari i vitit 2020, ka defekte pasi nuk e përcakton gjuhën në të cilën duhet të jepet provimi i jurisprudencës. Ai theksoi se VLEN mbështet kërkesën e studentëve shqiptarë dhe se gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare, duhet të respektohet në përputhje me Kushtetutën.

 

Procedurë për këtë çështje ka hapur edhe Avokati i Popullit, i cili ka paralajmëruar shqyrtim të veprimeve të Ministrisë së Drejtësisë dhe zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Në mbështetje të studentëve ka reaguar edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.

 

Ministria e Drejtësisë, nga ana tjetër, arsyeton refuzimin me pretendimin se provimi i jurisprudencës shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase.



Të ndryshme
Më shumë
BE kërkon zgjidhje diplomatike për krizën në Hormuz, Kallas përjashton opsionin ushtarak28 March 2026
Njihuni me miss Ukrainën e cila ka rrokë armën në luftë kunder Rusisë27 February 2022
Zaev: Nuk është e vërtetë që dikush i dha dikujt disa “bomba” për të qenë i fuqishëm14 September 2021