Aleanca për Shqiptarët ka mbajtur sot mbledhjen e VI-të të Kuvendit të partisë, duke shënuar një moment kyç në procesin e riorganizimit dhe ripozicionimit të saj politik.
Mbledhja u drejtua nga Kryetari i Kuvendit, Nazim Taipi, ndërsa pjesëmarrja e plotë e anëtarëve u vlerësua si tregues i rëndësisë së fazës aktuale për subjektin politik. Në fjalën e tij, kryetari i partisë, Arben Taravari, theksoi nevojën për intensifikim të punës në terren, fuqizim të strukturave dhe konsolidim të mëtejmë të partisë si alternativë serioze në skenën politike.
Në hapje të punimeve u konstatua zyrtarisht dorëheqja kolektive e Kryesisë Qendrore, e datës 15 janar 2026. Para kuvendarëve, shefi i shtabit zgjedhor, Halil Snopçe, prezantoi raportin për zgjedhjet lokale 2025–2026, duke analizuar rezultatet, bashkëpunimet dhe sfidat e procesit zgjedhor. Po ashtu, u shqyrtua edhe raporti i Asamblesë së Gruas.
Kuvendi vendosi thirrjen e Kongresit të rregullt të partisë dhe zgjodhi Këshillin Organizativ që do të merret me përgatitjen e tij. Kryetar i këtij këshilli u zgjodh Valbon Limani, ndërsa sekretar Gezim Kadriu. Në përbërje të këshillit janë deputetë, koordinatorë zonash dhe përfaqësues të strukturave të partisë, të cilët do të përcaktojnë në afatin më të shkurtër datën e mbajtjes së Kongresit.
Një ndër pikat më të rëndësishme ishte prezantimi i Draft Dokumentit për Strategjinë 2026–2036, që do të shërbejë si dokument ideologjik dhe programor për dekadën e ardhshme. U krijua një komision prej katër anëtarësh për menaxhimin e procesit, me përfshirjen e ekspertëve të jashtëm. Paralelisht, do të hartohet edhe Programi Politik 2026–2030.
Mbledhja u cilësua si një hap vendimtar drejt riorganizimit të plotë dhe definimit të qartë të kursit politik të partisë në periudhën që vjen.