Kryetari i Lëvizjes Arbëria, Bekim Fazliu, përmes një publikimi në rrjetet sociale ka artikuluar një sërë qëndrimesh të forta politike dhe shoqërore, duke theksuar se “Rruga e Arbërit” sipas tij identifikohet ekskluzivisht me subjektin që ai përfaqëson.
Fazliu deklaron se kjo është rruga e vetme që përfaqëson aspiratat kombëtare të shqiptarëve për liri dhe barazi në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar si rrugë të drejtësisë dhe të shqiptarit të zakonshëm që kërkon dinjitet dhe mirëqenie. Ai shton se përmes kësaj lëvizjeje artikulohet zëri dhe qëndresa politike e shqiptarëve në vend.
Në një tjetër pjesë të reagimit, ai shprehet kritik ndaj sistemit të drejtësisë, duke theksuar se realiteti në vend është i hidhur dhe se drejtësia, sipas tij, nuk funksionon. Fazliu kritikon edhe reagimin e një pjese të shoqërisë, duke pretenduar se opinionit publik i serviren narrativa të inskenuara, ndërsa persona të pafajshëm përballen me pasoja të rënda ligjore.
Sa i përket Ligjit për Arsimin e Lartë, ai deklaron mbështetje të plotë për universitetet shqiptare, duke inkurajuar profesorët dhe studentët që të tregojnë guxim intelektual dhe të mos dorëzohen përballë sfidave.
Fazliu reagoi edhe për incidentet me thirrje kundër flamurit shqiptar në ndeshje sportive, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të tyre dhe duke paralajmëruar se përshkallëzimet e mundshme do të kishin pasoja për stabilitetin e vendit.
Në fund të reagimit të tij, ai komentoi edhe organizimin e një iftari nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut, duke shprehur habi për praninë e figurave publike dhe personazheve të rrjeteve sociale në këtë aktivitet. Megjithatë, ai përmbylli mesazhin me urime për besimtarët në muajin e Ramazanit, duke dëshiruar agjërim të pranuar dhe më shumë kohë pranë familjes dhe miqve.