Nga Vendi
1 March 2026
VERIFIKIM I DETYRUESHËM PËR ÇDO PAGESË ONLINE, HYJNË NË FUQI RREGULLAT E REJA TË SIGURISË

Nga sot, çdo pagesë online do të kërkojë një hap shtesë verifikimi të identitetit të përdoruesit, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si qytetarët kryejnë transaksionet në internet. Futja e PIN-it, përdorimi i gjurmës së gishtit ose njohja e fytyrës do të jenë të domosdoshme për të konfirmuar çdo blerje apo pagesë elektronike.

Edhe nëse të dhënat e kartës, si numri, data e skadimit dhe kodi i sigurisë, vendosen saktë, transaksioni nuk do të realizohet pa këtë verifikim shtesë. Bankat tashmë janë të obliguara ligjërisht të zbatojnë autentifikimin e përforcuar të klientit për të gjitha pagesat online, në përputhje me Ligjin për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave.

Sipas rregullave të reja, përveç plotësimit të të dhënave të kartës, klienti duhet të autorizojë pagesën përmes aplikacionit zyrtar të bankës në telefonin e tij. Përdoruesi do të marrë një njoftim për transaksionin dhe do të duhet ta konfirmojë atë në mënyrë aktive, duke shtuar një shtresë të re sigurie ndaj çdo tentative të mundshme keqpërdorimi.

Kjo masë ka qenë në zbatim gradual për shërbime të tjera, si kontrolli online i llogarive, pagesat me karta në pikat fizike të shitjes dhe urdhrat e pagesave përmes bankave elektronike dhe mobile. Me hyrjen e plotë në fuqi edhe për pagesat online, përmbyllet procesi i harmonizimit me standardet e Bashkimit Evropian për transaksione të sigurta dixhitale.

Banka Kombëtare vlerëson se ky hap do të rrisë ndjeshëm mbrojtjen e përdoruesve dhe do të forcojë besimin në sistemin e pagesave elektronike, në një kohë kur përdorimi i shërbimeve financiare online është në rritje të vazhdueshme.



Të ndryshme
Më shumë
Janevska: Ligji në arsim drejt fazës qeveritare para se të shkojë në Kuvend20 April 2026
Shorti i fazës play-off për Botërorin 2026: Shqipëria pret rivalë të fortë, ja skenarët dhe kundërshtarët e mundshëm17 November 2025
Grubi: MO-ja transformoi Maqedoninë e Veriut dhe u bë yll udhëzues drejt të ardhmes 2 July 2021