Nga Rajoni
1 March 2026
KURTI HAP RRUGËN PËR GARË TË HAPUR PËR PRESIDENTIN, ÇDO PARTI ME KANDIDATIN E SAJ NËSE MUNGON FIGURA UNIFIKUESE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëse subjektet politike nuk arrijnë të bien dakord për një figurë unifikuese për president të vendit, atëherë zgjidhja mbetet që secila parti të propozojë kandidatin e vet dhe gara të zhvillohet brenda Kuvendit.

Sipas tij, për të propozuar një kandidat për president nevojiten 30 nënshkrime të deputetëve. Lëvizja Vetëvendosje, si forca më e madhe parlamentare, disponon 57 deputetë, ndërsa asnjë nga partitë e tjera nuk arrin pragun prej 30 deputetësh për të siguruar e vetme nominimin.

Kurti theksoi se në rast se nuk sigurohet mbështetja e të paktën 80 deputetëve në njërin nga dy rundet e para të votimit, procesi vazhdon në rundin e tretë, ku mjaftojnë 61 vota nga gjithsej 120 deputetë sa numëron Kuvendi i Kosovës.

Ai u shpreh se në mungesë të konsensusit, alternativa demokratike është përballja e kandidatëve në procedurën kushtetuese, ku fitues do të jetë ai ose ajo që arrin të sigurojë shumicën e kërkuar sipas rregullave në fuqi.

Deklarata e Kurtit vjen në një moment kur skena politike po përballet me sfidën e gjetjes së një emri që do të mund të bashkonte spektrin politik, ndërsa opsioni i një gare të hapur parlamentare shihet si zgjidhje procedurale në rast të dështimit të marrëveshjes politike.



Të ndryshme
Më shumë
Aliu: Sëmundjet e rralla nuk janë të rralla për ata që jetojnë me to — këtë vit janë siguruar 58 ilaçe për 430 pacientë11 November 2025
VIDEO/ ‘Shqiptarët na vunë në rresht, na poshtëruan’, grekëve nuk u del inati: ‘Duhet ligji i ...19 January 2021
Topi i Artë 2025/ Drejtësia e vitit i takon…15 December 2025