Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, deklaroi se situata e sigurisë në vend është stabile dhe nën kontroll, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të mbajtur në Vila Presidenciale Vodno, e thirrur për shkak të përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme.
Duke iu referuar të dhënave të agjencive të inteligjencës dhe institucioneve kyçe të sigurisë, ajo theksoi se nuk ka arsye për shqetësim.
“Situata është stabile dhe e sigurt bazuar në të dhënat e agjencive të inteligjencës dhe sigurisë kombëtare, si dhe të dhënat nga ministritë e punëve të jashtme, të brendshme dhe të mbrojtjes, së bashku me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë”, deklaroi presidentja.
Sipas saj, vendi nuk është i ekspozuar ndaj paqëndrueshmërisë dhe nuk ka rrezik për sigurinë e brendshme apo rajonale. Ajo nënvizoi funksionimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm dhe koordinimin e vazhdueshëm ndërinstitucional.
“Ne nuk jemi tani të ekspozuar ndaj paqëndrueshmërisë, as nuk ka rrezik për sigurinë brenda vendit dhe në rajon. Ekziston një sistem i paralajmërimit të hershëm për shkak të koordinimit të të gjitha organeve kompetente dhe ai është shumë i rëndësishëm dhe i lidhur me monitorimin e vazhdueshëm të situatës ushtarake”, theksoi ajo, duke shtuar se institucionet analizojnë dhe shkëmbejnë informacion në mënyrë të rregullt.
Presidentja bëri të ditur se vlerësimet e rrezikut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa theksoi se ka koordinim të vazhdueshëm me partnerët rajonalë dhe me strukturat e NATO. Ajo sqaroi se, ndonëse NATO nuk ka mbajtur një seancë të posaçme, Këshilli i Sigurisë ka zhvilluar mbledhje dhe informacionet ndahen në nivel rajonal.
Në aspektin ekonomik dhe energjetik, Siljanovska-Davkova theksoi se nuk ka probleme në furnizim. Ajo bëri të ditur se interkonjektori me Greqinë është funksional, ndërsa rezervat e naftës janë siguruar sipas ligjit për një periudhë nga 40 deri në 90 ditë.
“Kam bindje të fortë, jo vetëm institucionale por edhe të dokumentuar me të dhëna, që nuk ka arsye për t’u shqetësuar tani. Sigurisht, do të vazhdojmë të ndjekim situatën dhe do të reagojmë në mënyrë adekuate”, deklaroi presidentja.
Ajo njoftoi gjithashtu se nën mbrojtje dhe kontroll janë selia e Komunitetit Hebre dhe Qendra Memoriale e Holokaustit në Shkup, për shkak të kërcënimeve të mundshme ndaj objekteve hebreje nëpër botë.
Në mbledhje mori pjesë përmes video-lidhjes edhe ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas presidentes, ai informoi për rritjen e numrit të shtetasve maqedonas në rajonin e Lindjes së Mesme, të cilëve u është bërë thirrje të kontaktojnë konsullatat dhe të regjistrohen për t’u përfshirë në planin eventual të evakuimit.