Nga Vendi
2 March 2026
Ali Ahmeti: Solidaritet i palëkundur me SHBA-në dhe rendin ndërkombëtar

Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shprehur qëndrimin e prerë të subjektit që drejton në mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të përpjekjeve për ruajtjen e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare.

Ahmeti theksoi se në kohë sfidash globale, pozicioni i tyre është i qartë dhe i palëkundur, solidaritet i plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me çdo angazhim për mbrojtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale.

Sipas tij, aleanca me SHBA-në nuk është thjesht orientim diplomatik, por përcaktim strategjik dhe vleror. Ai nënvizoi se kjo zgjedhje përfaqëson rreshtimin në anën e demokracisë, lirive themelore, shtetit të së drejtës dhe përgjegjësisë ndërkombëtare. Ahmeti kujtoi se shqiptarët e dinë mirë rëndësinë e mbështetjes amerikane në momentet kyçe të historisë së tyre, prandaj, siç u shpreh ai, sot qëndrojnë përkrah partnerit më të madh strategjik.

Duke iu referuar zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Ahmeti kritikoi sulmet dhe aktet destabilizuese të Irani, të cilat, sipas tij, cenojnë sigurinë e vendeve të Gjirit dhe kërcënojnë arkitekturën e brishtë të paqes në rajon. Ai vlerësoi se veprime të tilla nuk i shërbejnë zhvillimit, bashkëjetesës dhe as aspiratave legjitime të popujve për prosperitet, duke shtuar se çdo regjim që zgjedh konfrontimin mbi bashkëpunimin dhe eksportin e krizave mbi dialogun, e vendos veten në kundërshtim me frymën e kohës.

Ahmeti theksoi se siguria në Gjirin Persik dhe në Lindjen e Mesme përbën interes global, duke përmendur lirinë e qarkullimit, stabilitetin energjetik, luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar si përgjegjësi të përbashkëta. Në këtë kuadër, ai vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara si të pazëvendësueshëm në garantimin e ekuilibrave dhe si faktor stabiliteti.

Në përmbyllje, kreu i BDI-së ritheksoi se shqiptarët kanë zgjedhur pa ekuivoke rrugën perëndimore, duke u konsideruar pjesë e komunitetit euroatlantik dhe kontribuues aktiv në paqen dhe sigurinë kolektive. Mbështetja për SHBA-në, sipas tij, është mbështetje për një botë më të sigurt, më të drejtë dhe më të lirë.



Të ndryshme
Më shumë
Arben Çejku: Akuzat ndaj shtetarëve dhe luftëtarëve të UÇK për të dëmtuar shtetësinë dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës19 December 2020
BDl takon arsimtarët dhe profesorët tetovar (FOTO)26 June 2020
Erdogan paralajmëron ndërhyrje ushtarake nëse i cenohet vendi31 August 2020