Nga Vendi
14 March 2026
Protestë e re e sindikatave në Shkup, kërkohet pagë minimale 600 euro

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë organizoi sot një protestë në Shkup duke kërkuar rritje të pagës minimale dhe përmirësim të kushteve ekonomike për punëtorët.

Protesta nisi nga Shtëpia e Punëtorëve dhe vazhdoi drejt Parlamentit dhe Dhomës së Tregtisë, për të përfunduar para ndërtesës së Qeverisë. Sindikatat kërkojnë që paga minimale të rritet në 600 euro dhe të zbatohet një rritje lineare prej 6 mijë denarësh për të gjitha pagat.

Sipas të dhënave të Zyra e të Ardhurave Publike, të cilave u referohet sindikata, rreth 160 mijë punëtorë në vend marrin paga nën kufirin e varfërisë.

Kryetari i sindikatës, Sllobodan Trandafilov, deklaroi se shumë punëtorë janë penguar të marrin pjesë në protestë për shkak të presioneve dhe kërcënimeve nga vendet e punës.

“Një numër i madh punëtorësh u penguan të vinin sepse po ngacmohen dhe po shantazhohen. Por pavarësisht kësaj, ne nuk kemi frikë. Ne erdhëm për rritje pagash dhe do të vijmë përsëri, sepse pa punëtorë nuk ka shtet dhe nuk ka qeveri”, tha Trandafilov.

Sindikatat kundërshtojnë edhe rritjen e parashikuar prej 1,667 denarësh të pagës minimale, duke argumentuar se ajo nuk mbulon rritjen e kostos së jetesës. Sipas tyre, vetëm në dy muajt e fundit shporta minimale sindikale është rritur me rreth 2 mijë denarë.

Aktualisht paga minimale në vend është rreth 397 euro, ndërsa shporta minimale e konsumatorit për muajin janar ka kaluar 66 mijë denarë.

Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski akuzoi disa drejtues sindikalë për manipulim politik, duke theksuar se çështjet e pagave duhet të zgjidhen përmes dialogut ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve.

Trandafilov reagoi duke thënë se qeveria në një kohë shumë të shkurtër ka ndryshuar disa ligje që sipas tij kanë garantuar paga të larta për zyrtarët.



Të ndryshme
Më shumë
MASH Maqedoni: Deri më 15 shtator nxënësit e shkollave të mesme mund të aplikojnë për bursa 2 September 2021
Turqia ndalon muzikën në mesnatë, shpërthen revolta kundër Erdoganit22 June 2021
“Monstra”, prokuroria kërkon paraburgim për Agim Ismailoviq dhe Fejzi Azirin13 November 2020