Presidenti amerikan Donald Trump ka ngritur pikëpyetje mbi gjendjen shëndetësore të Mojtaba Khamenei, duke deklaruar se ka shumë paqartësi rreth asaj që ka ndodhur me të pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
Duke folur nga White House, Trump tha se qarkullojnë versione të ndryshme për gjendjen e tij. “Dua të them, shumë njerëz thonë se ai është shpërfytyruar keq, të tjerë thonë se ka humbur njërën këmbë dhe është i lënduar rëndë, ndërsa disa thonë se ka vdekur. Askush nuk po thotë se është 100 për qind i shëndetshëm”, u shpreh ai.
Presidenti amerikan shtoi se mungesa e informacionit të saktë e bën situatën edhe më të paqartë. “Kjo mund të jetë për shumë arsye të ndryshme. Ne nuk e dimë nëse ai ka vdekur apo jo. Askush nuk e ka parë, gjë që është e pazakontë”, deklaroi Trump.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Khamenei ka pësuar një frakturë në këmbë dhe disa lëndime të lehta gjatë ditës së parë të fushatës së bombardimeve të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Burime të cituara nga CNN bëjnë të ditur se ai ka marrë gjithashtu një mavijosje rreth syrit të majtë dhe gërvishtje të lehta në fytyrë.
Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për gjendjen e tij, ndërsa zhvillimet në rajon po ndiqen me vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar.
Burim: Top Channel