Nga Bota
17 March 2026
Dorëhiqet zyrtari i lartë i antiterrorizmit në SHBA, kundërshton luftën në Iran

Kreu i Qendrës Kombëtare Kundërterrorizmit në Shtetet e Bashkuara, Joseph Kent, ka dhënë dorëheqjen, duke u bërë zyrtari i parë i nivelit të lartë në administratën e Donald Trump që largohet për shkak të qëndrimit ndaj luftës në Iran.

Në një letër drejtuar presidentit, Kent shprehu kundërshtimin e tij ndaj ndërhyrjes ushtarake, duke theksuar se nuk ekzistonte një kërcënim i menjëhershëm për SHBA-në. Ai shkroi, “nuk mundem, me ndërgjegje të pastër, të mbështes luftën e vazhdueshme në Iran, Irani nuk paraqiti asnjë kërcënim të menjëhershëm për kombin tonë”.

Kent shtoi se vendimi për përfshirje në konflikt është ndikuar nga faktorë të jashtëm, duke deklaruar, “është e qartë se e nisëm këtë luftë për shkak të presionit nga Izraeli dhe lobit të tij të fuqishëm”.

Deri më tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë lidhur me dorëheqjen, ndërsa zhvillimi ka surprizuar edhe komunitetin e inteligjencës.

Sipas raportimeve, Kent është i afërt me Drejtoren e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, e cila ka mbajtur profil të ulët publik që nga fillimi i konfliktit dhe nuk ka dhënë deklarata të drejtpërdrejta mbi situatën.

Dorëheqja e Kent pritet të thellojë debatet brenda administratës amerikane mbi legjitimitetin dhe drejtimin e politikës së jashtme në raport me Iranin.



Të ndryshme
Më shumë
SHBA shqyrton operacione tokësore në Iran, rritet rreziku i përshkallëzimit29 March 2026
Pendarovski merr pjesë në sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara15 September 2020
Bajram Rexhepi: “Për Tetovën e Re, me vëmendje të posaçme për pensionistët” 1 August 2025