Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë dhe të miratojë në ditët në vijim një rezolutë përmes së cilës Republika Islamike e Iranit do të shpallet “shtet sponsor i terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste”.
Dokumenti mbështetet në vlerësime ndërkombëtare që lidhen me përfshirjen e Iranit në financimin, armatosjen dhe drejtimin e grupeve të armatosura jo-shtetërore, të cilat në shumë vende janë klasifikuar si organizata terroriste.
Një ndër argumentet kryesore në draft është edhe fakti se Shqipëria ka qenë vetë objekt i sulmeve kibernetike të lidhura me Iranin, përfshirë sulmin e vitit 2022 ndaj institucioneve shtetërore, si dhe tentativat e fundit ndaj sistemeve digjitale të Kuvendit, të atribuuara grupit “Homeland Justice”.
Rezoluta parashikon gjithashtu dënimin e aktiviteteve destabilizuese të Iranit në rajone të ndryshme të botës dhe shpreh solidaritet me vendet e Gjirit Persik dhe Turqinë, të cilat konsiderohen si shënjestra të këtyre veprimeve.
Në të njëjtën kohë, dokumenti dënon Gardën Revolucionare Islamike për rolin e saj në mbështetjen e strukturave të armatosura dhe i bën thirrje qeverisë shqiptare që këtë organizatë ta shpallë terroriste, si dhe të klasifikojë Hezbollahun si organizatë terroriste të lidhur me Iranin.
Nëse rezoluta miratohet, Shqipëria do t’i bashkohet vendeve si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Holanda, të cilat kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm.
Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Teheranit kanë qenë të tensionuara prej vitesh, sidomos pas strehimit në Shqipëri të anëtarëve të organizatës opozitare iraniane MEK.