Pavarësisht vendosjes së kamerave të sigurisë në rrugët kryesore që nga 1 shkurti, shkeljet në komunikacion vazhdojnë të mbeten shqetësuese. Rasti më i fundit është regjistruar në bulevardin “Goce Dellçev” në Shtip, ku një veturë e tipit Golf është kapur duke lëvizur me 105 km/h në një zonë të banuar, ku kufizimi i lejuar është 50 km/h.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se ndaj drejtuesit të automjetit janë ndërmarrë masa ligjore, “ndaj shoferit S.I. (21) nga Shtipi janë ndërmarrë masat përkatëse dhe ai do të përballet me sanksionin e paraparë me ligj”, duke shtuar se kontrollet me pajisje për matjen e shpejtësisë do të vazhdojnë edhe në vijim.
Autoritetet bëjnë të ditur se vetëm një ditë më parë janë ndaluar nëntë shoferë, prej të cilëve gjashtë kanë rezultuar pa patentë shoferi, ndërsa njëri prej tyre ishte i mitur.
Ndërkohë, sistemi “Safe City” ka regjistruar mbi 33 mijë shkelje në komunikacion nga 2 shkurti deri më 18 mars. Sipas MPB-së, shumica e tyre lidhen me tejkalim të shpejtësisë, ndërsa raste të tjera përfshijnë automjete me regjistrim të skaduar dhe kalim në semafor të kuq.
“Në periudhën nga 2 shkurti deri më 18 mars 2026, nga ana e sistemit “Qyteti i Sigurt”, janë regjistruar gjithsej 33,201 shkelje”, theksuan nga MPB.