Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kaluar në një atmosferë konstruktive, duke shtuar se dialogu i vazhdueshëm mund të çojë drejt një marrëveshjeje politike për çështjen e presidentit.
Pas takimit në Kuvend, Kurti u shpreh optimist për javët në vijim, duke theksuar se ekziston vullnet për të shmangur zgjedhjet e reja. “Me takime të këtilla mund të arrijmë një marrëveshje politike. Nuk mund të them se e kemi sot, por atmosfera konstruktive dhe vullneti për t’i shmangur zgjedhjet e reja më bën optimist për këto tri javët e mbetura”, tha ai.
Ai shtoi se në këtë fazë nuk do të bëhen publike emra konkretë, përderisa nuk ka një dakordim mes palëve, duke theksuar se propozimet duhet të prodhojnë rezultate të qarta.
Kurti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e sigurimit të një shumice të qëndrueshme parlamentare për zgjedhjen e presidentit. “Vetëm një shumicë prej 84 ose 85 deputetë do të na bënte komodë. Numri 80-81 nuk duhet të jetë synimi, por rezultati minimal”, deklaroi ai.