Institucioni i Avokati i Popullit i është drejtuar zyrtarisht Bashkia Tiranë, duke kërkuar masa të menjëhershme për strehimin e banorëve të mbetur pa shtëpi pas zjarrit në kompleksin “Arlis”.
Në shkresën zyrtare theksohet se “fokusi më emergjent në trajtimin e kësaj çështjeje ka të bëjë me të drejtën për strehim si një prej të drejtave më të rëndësishme të njeriut”, duke e lidhur këtë të drejtë edhe me mbrojtjen e jetës dhe shëndetit.
Avokati i Popullit kërkon që familjet e prekura të përfshihen menjëherë në programet e strehimit social, duke propozuar si zgjidhje më të shpejtë përfitimin e bonusit të qirasë. Sipas institucionit, “përfitimi i bonusit të qirasë për këto familje derisa t’u sigurohet strehimi i përshtatshëm do të ishte zgjidhja e duhur dhe koherente”.
Kërkesa vjen në një kohë kur dhjetëra familje vijojnë të përballen me pasojat e zjarrit, ndërsa pritet reagimi i autoriteteve vendore për zbatimin e masave konkrete.