Franca dhe Britania e Madhe po udhëheqin një takim me rreth 40 shtete në Paris, me qëllim koordinimin e një qëndrimi të përbashkët për situatën në Ngushticën e Hormuzit dhe garantimin e lirisë së lundrimit sapo të krijohen kushtet e përshtatshme.
Sipas dokumenteve të shpërndara për vendet e ftuara, iniciativa synon të riafirmojë mbështetjen për lëvizjen e lirë detare dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare, pa përfshirjen direkte të Shteteve të Bashkuara apo Iranit.
Takimi vjen në një moment tensionesh diplomatike, pasi vendet evropiane kanë refuzuar kërkesat për t’u bashkuar me një bllokadë apo përfshirje ushtarake të drejtpërdrejtë, duke paralajmëruar se një hap i tillë do të nënkuptonte hyrje në konflikt.
Në fokus të diskutimeve janë gjithashtu siguria e anijeve tregtare, mbrojtja e ekuipazheve dhe ndikimi ekonomik në sektorin e transportit detar, ndërsa po shqyrtohet edhe mundësia e krijimit të një misioni shumëkombësh mbrojtës në të ardhmen.
Në fund të takimit pritet një deklaratë e përbashkët që do të përcaktojë më qartë hapat e ardhshëm diplomatikë dhe të sigurisë.