Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë, ka paralajmëruar masa konkrete për përballimin e mungesës së theksuar të kuadrit shëndetësor në vend, duke përfshirë mjekë, infermierë dhe staf teknik.
Në një deklaratë për TVM2, ai bëri të ditur se së shpejti do të hapen 300 vende të reja pune për mjekë, ndërsa paralelisht po zhvillohen analiza për nevojat reale për infermierë. “Shumë shpejt do të hapim 300 punësime të reja për mjekë dhe njëkohësisht po analizojmë sa infermierë na duhen. Jemi të vetëdijshëm se pa infermierë funksionalë, sistemi shëndetësor nuk mund të ofrojë shërbim cilësor për qytetarët”, u shpreh Aliu.
Ai theksoi se infermierët kanë rol kyç në funksionimin e sistemit, duke qenë pika e parë e kontaktit për qytetarët me institucionet shëndetësore.
Ministri njoftoi gjithashtu se është në përgatitje një ligj i ri për profilizimin e infermierëve në sektorin publik. Sipas tij, drafti tashmë është përgatitur nga një grup punues dhe pritet të kalojë në fazën e konsultimit publik. “Ligji synon të rregullojë më qartë rolin dhe përgjegjësitë e infermierëve, si dhe të krijojë standarde për funksionimin e tyre në sistemin publik”, deklaroi ai.
Sipas ministrit, këto masa janë pjesë e përpjekjeve për ndërtimin e një sistemi shëndetësor më efikas dhe në përputhje me standardet evropiane.