Qeveria e Kosovës ka hedhur hapin e radhës drejt rikthimit të një prej objekteve me rëndësi historike dhe kulturore, Xhamisë së Ibrit, e cila u dogj më 2 maj 1999.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka njoftuar për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi për hartimin dhe zbatimin e projektit të rindërtimit të xhamisë, në bashkëpunim me përfaqësues të Bashkësia Islame e Kosovës.
Kurti ka theksuar se ky angazhim është pjesë e përpjekjeve institucionale për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të dëmtuar gjatë luftës, duke shtuar se “përmes këtij memorandumi, Qeveria e Kosovës do të mbështesë ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore”.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se është nënshkruar edhe një memorandum tjetër me Bashkësinë Islame të Kosovës, që synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë islame në vend.
“Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se investimet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.