Mosmarrëveshja mes MEPSO-s dhe kompanisë boshnjake Energoinvest për ndërtimin e linjës energjetike me Shqipërinë ka përfunduar në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris. Kjo pasi MEPSO ka ankimuar vendimin e trupit para-arbitrazh, i cili vlerësoi se prishja e kontratës me Energoinvest ishte e pajustifikuar dhe se kompania boshnjake ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim prej 6 milionë eurosh.
Nga MEPSO deklarojnë se janë të bindur se arbitrazhi do të vendosë në favor të tyre, duke theksuar se dy zyra avokatie kanë vlerësuar se vendimi paraprak ka qenë i njëanshëm dhe joprofesional.
Sipas kompanisë shtetërore, kontrata me Energoinvest ka qenë e tipit “çelës në dorë” dhe nuk ka paraparë ndryshim të çmimit. Ata pretendojnë se ndërprerja e punimeve dhe largimi nga kantieri kanë qenë arsye të mjaftueshme për shkëputjen e kontratës.
MEPSO thekson se zvarritja e projektit i ka shkaktuar shtetit humbje të mëdha financiare, duke përfshirë miliona euro të humbura nga mosfunksionimi i interkonektorit me Shqipërinë dhe penalitete për mosshfrytëzimin e fondeve. Për këtë arsye, kompania planifikon të kërkojë rreth 19 milionë euro dëmshpërblim në arbitrazh.
Ndërtimi i linjës Manastir – Elbasan tashmë i është besuar konsorciumit kroat “Dalekovod”, me kontratë prej 19.3 milionë eurosh dhe afat realizimi prej 30 muajsh. Ndërkohë, për Energoinvest janë paguar rreth 4 deri në 5 milionë euro, megjithëse realizimi i projektit ka arritur vetëm në 4 për qind.