Nga Rajoni
9 May 2026
Dhunа seksuale në Evropë në rritje alarmante, ekspertët ngrejnë alarmin për sigurinë e grave

Dhuna seksuale po shënon rritje shqetësuese në vendet evropiane, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e grave, efikasitetin e institucioneve dhe sfidat sociale që po përballet kontinenti. Sipas një raporti të fundit, vetëm në Greqi incidentet e dhunës seksuale janë rritur me 145% nga viti 2010 deri në vitin 2024, ndërsa rastet e përdhunimeve kanë shënuar rritje prej 64%. Vetëm gjatë vitit 2022, numri i ankesave për përdhunim është trefishuar krahasuar me një vit më parë.

Shifrat alarmante nuk kufizohen vetëm në Greqi. Në vitin 2024, Bashkimi Evropian ka regjistruar mbi 256 mijë incidente të dhunës seksuale, ku rreth 100 mijë prej tyre lidhen me përdhunime. Sipas statistikave, gjatë dekadës së fundit krimet seksuale në BE janë rritur me 94%, ndërsa përdhunimet me 150%.

Raporti thekson se një në tre gra në Evropë ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e rasteve raportohen tek autoritetet. Në Greqi, sipas të dhënave, vetëm një në 24 përdhunime denoncohet, çka lë të kuptohet se përmasat reale të fenomenit mund të jenë edhe më të mëdha.

Në krye të statistikave evropiane për rastet e raportuara renditet Franca, e ndjekur nga Gjermania dhe Suedia. Debati publik është përqendruar edhe te ndikimi i emigracionit dhe integrimit social, megjithatë ekspertët paralajmërojnë se fenomeni nuk mund të lidhet me një shkak të vetëm. Kriminologia Kelly Ioannou thekson se dhuna seksuale ndikohet nga faktorë socialë, ekonomikë dhe kulturorë, si ndjenja e pandëshkueshmërisë, frustrimi social dhe mungesa e edukimit mbi pëlqimin.

Sipas saj, rritja e rasteve të raportuara nuk do të thotë domosdoshmërisht se dhuna është shtuar në të njëjtën masë, por se shoqëria po ekspozon më shumë një fenomen që për vite me radhë ka mbetur i fshehur.



Të ndryshme
Më shumë
Snopçe: Nuk e mbështesim interpelancën kundër Xhaferit 6 July 2021
U qartësua më në fund, ky është i dashuri i ri i Rita Orës29 July 2020
Viti i ri shkollor, Ademi: Deri në klasën e tretë mësim me prezencë fizike, të tjerët online18 August 2020