Opinionisti Avni Arifi ka komentuar paraqitjen e përbashkët të Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani në tubimin e LDK-së, duke e cilësuar këtë zhvillim si fillimin e fundit të, siç u shpreh ai, “perandorisë së mashtrimit”.
Në emisionin “Ora Shtatë”, Arifi tha se ribashkimi politik i Abdixhikut dhe Osmanit po sjell një energji të re në skenën politike të Kosovës, megjithëse sipas tij mbeten ende shumë paqartësi për mënyrën se si do të reflektohet kjo në elektorat.
Ai theksoi se suksesi i këtij bashkimi do të varet nga fushata zgjedhore, organizimi i strukturave të LDK-së dhe besimi i anëtarësisë se ky rikthim do të sjellë frymën rugoviane në parti.
“Është një energji e re, por ka shumë të paqarta. Do të varet nga fushata dhe nga besimi i njerëzve të LDK-së në këtë ribashkim”, deklaroi Arifi.
Më tej, ai shtoi se ky moment mund të shënojë një kthesë të rëndësishme politike për Kosovën, duke potencuar se “këtu ka filluar rrënimi i perandorisë së mashtrimit, që ky popull ka me pagu për një kohë të gjatë”.