Kandidati për kryeministër nga AAK-ja, Ardian Gjini, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të drejtorit të Bujqësisë në Deçan, Rifat Stojkaj, i cili humbi jetën si pasojë e një vetaksidenti, sipas policisë. Përmes një postimi në Facebook, Gjini e përshkroi Stojkajn si një njeri të urtë dhe të përkushtuar ndaj punës për Deçanin dhe Kosovën. Ai tha se bëhet fjalë për një humbje të rëndë jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij. “Deçani sot ka humbur një nga djemtë e tij më të mirë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Stojkaj, kryetarit Bashkim Ramosaj dhe të gjithë kolegëve në Deçan, miqve të tij dhe gjithë kolegëve në Aleancë. U prehsh në paqe, Rifat!”, ka shkruar Gjini. Lajmi për vdekjen e hershme të Stojkajt ka ngjallur reagime dhe dhimbje në opinionin lokal dhe politik.