Nga Rajoni
27 May 2026
Haxhiu takon kongresistët amerikanë: "Miqësia me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm institucionale, por edhe personale"

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot, më 27 maj, dy kongresistë amerikanë, republikanin Keith Self dhe demokratin Suhas Subramanyam, duke theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është "çështje e sigurisë afatgjatë, paqes rajonale dhe e pozicionimit të vendit mes shteteve demokratike." Haxhiu e falënderoi Selfin për mbështetjen ndaj rrugëtimit të Kosovës drejt NATO-s dhe për angazhimin lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se "populli ynë e kujton se kush qëndroi pranë nesh në momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne."

Vizita e kongresistëve vjen pas rezolutës së propozuar në prill nga Self, Torres dhe Lawler për avancimin e rrugës së Kosovës drejt NATO-s, e cila gëzon mbështetje dypartiake në SHBA. Rezoluta thekson se qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë argumente të forta për anëtarësimin në aleancë. Njëra nga pengesat kryesore mbetet mosnjohja e pavarësisë nga katër shtete anëtare të NATO-s, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, ndërsa Kosova synon transformimin e plotë të Forcës së Sigurisë në ushtri të rregullt deri në vitin 2028.

Self deklaroi se delegacioni kishte vizituar fillimisht Luginën e Preshevës, ku u takua me përfaqësues politikë shqiptarë, duke shtuar: "Po vizitojmë të dyja palët për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre."

Burimi: REL



Të ndryshme
Më shumë
Pas hedhjes së parashutës së BBV-së, vjen reagimi i nënës së Trixës10 January 2022
Mickoski merr pjesë në Samit, por nuk përmend Tiranën – komentohet nga ndjekësit16 May 2025
Xhaferi nga Gostivari: Komandant Ahmeti, në njësinë zgjedhore 5 janë bërë bashkë nga i vogli e deri tek i moshuari 8 July 2020