Nga Rajoni
31 May 2026
10 euro për të hyrë në Prishtinë: Komuna propozon taksë të re për automjetet e jashtme

Komuna e Prishtinës ka nisur procedurat për vendosjen e një takse prej 10 eurosh për çdo automjet të regjistruar jashtë kryeqytetit që hyn në qendër, ndërsa qytetarë e aktivistë janë shprehur kundër kësaj nisme.

Drafti i ri i rregullores, i vendosur këtë javë në platformën për konsultime publike, parashikon se, "çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga Kryeqyteti, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 euro për hyrje. Pagesa realizohet përmes pikave të autorizuara hyrëse, përmes sistemit elektronik të pagesës ose përmes platformave të tjera të miratuara nga Kryeqyteti."

Nga kjo taksë do të përjashtohen automjetet e shërbimeve emergjente, institucioneve publike në detyrë zyrtare dhe banorëve rezidentë të Prishtinës. Mospagesa e taksës përbën kundërvajtje dhe sanksionohet me gjobë, megjithëse lartësia e saj nuk është përcaktuar ende.

Drafti parashikon gjithashtu një taksë akomodimi prej një euro për natë për qytetarët që qëndrojnë në hotele apo objekte të tjera jashtë vendbanimit të tyre, ku, "taksa arkëtohet nga subjekti hotelier në momentin e pagesës së shërbimit të akomodimit dhe paraqitet si pikë e veçantë në faturë."

Ndryshimet përfshijnë edhe rritje taksash për barnatore dhe motele me 200 euro, ndërsa institucioneve mikrofinanciare u përgjysmohet taksa nga 1000 në 500 euro. Propozimet do të procedohen për miratim pas datës 24 qershor.



Të ndryshme
Më shumë
Kurti përkujton masakrën e Podujevës, thirrje për drejtësi ndaj krimeve të luftës29 March 2026
Pushimi në Kosovë iu kthye në makth, rrëfen familja 2 September 2021
Ratkoceri: Fituesi më i madh i zgjedhjeve është Lëvizja BESA18 October 2021