Nga Vendi
10 June 2026
Kuvendi shqyrton ligjin antiduhan, gjoba deri në 5.000 euro për bizneset

Ligji për mbrojtje nga përdorimi i duhanit ka filluar të shqyrtohet në Kuvend dhe është vendosur në rendin e ditës për seancë plenare, raporton Alsat. Me ndryshimet e reja ligjore parashihet ndalim pothuajse total i pirjes së duhanit në hapësirat publike, duke përfshirë institucione shëndetësore, shkolla, universitete, institucione shtetërore, mjete transporti, hotele, restorante, kafene, diskoteka dhe kazino. Duhani do të jetë i ndaluar edhe brenda 20 metrave nga hyrjet e spitaleve, shkollave dhe çerdheve, ndërsa në automjetet private ndalohet tërësisht nëse në to ndodhen fëmijë. Nëpër lokale, pirja e duhanit do të lejohet vetëm në tarraca plotësisht të hapura ose gjysmë të hapura me të paktën dy anë tërësisht të hapura. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, gjatë prezantimit të ligjit deklaroi se "për herë të parë ndalohet ekspozimi i produkteve në shitore, shitja përmes internetit dhe përmes automateve si dhe format e ndryshme të promovimit përmes rrjeteve sociale, përmes lirimeve apo lojërave shpërblyese", duke shtuar se "përforcohet mbrojtja e të miturve përmes kontrollit të domosdoshëm të moshës gjatë shitjes". Cigaret nuk do të guxojnë të ekspozohen në raftet e dyqaneve, por do të ruhen në dollapë të mbyllur, ndërsa blerësit do të kenë mundësi të shohin vetëm një listë me emrin dhe çmimin e tyre. Gjobat për qytetarët që konsumojnë duhan ku është e ndaluar do të jenë nga 150 deri në 300 euro, ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në emisionin TROÇ në Portalb.mk, sqaroi se gjobat për lokalet që nuk e respektojnë ligjin do të arrijnë deri në 5.000 euro. Sipas të dhënave të OBSH-së, mbi 45% e popullatës së rritur në Maqedoninë e Veriut konsumon duhan, duke e renditur vendin ndër ato me përqindjen më të lartë të duhanpirjes. Ligji është dorëzuar në Kuvend me flamur evropian, pasi sipas zëvendësministrit Andovski, ai harmonizohet me legjislacionin e Bashkimit Evropian.



Të ndryshme
Më shumë
Rama: Shpresoj që Bullgaria të lejojë Maqedoninë e Veriut t'i hap negociatat me BE-në24 September 2025
Zejdi: Koalicioni ASH-AAA në rrugë të mbarë drejt marrëveshjes me LSDMnë 7 August 2020
Zaev: Bisedimet për BE-në nuk duhet të shndërrohen në bisedime me Bullgarinë25 June 2021