Marrëveshja paraprake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po përballet me sfidën e saj të parë serioze, pasi përshkallëzimi i luftimeve në Liban çoi në anulimin e një raundi të ri bisedimesh mes Teheranit dhe Uashingtonit në Zvicër. Sipas një analize të New York Times, Libani është shndërruar në pengesën kryesore për zbatimin e marrëveshjes. Tre zyrtarë të cituar nga gazeta thanë se Irani u tërhoq nga bisedimet për shkak të sulmeve izraelite në Liban. Mohanad Haje Ali nga Qendra Carnegie në Bejrut deklaroi se, "udhëheqja e re e Iranit e sheh Libanin si pjesë integrale të sigurisë së vet kombëtare", ndërsa shtoi se, "për Iranin, qëllimi përfundimtar është tërheqja e Izraelit nga Libani". Edhe pse marrëveshja SHBA–Iran parashikon ndërprerjen e operacioneve ushtarake në Liban dhe ruajtjen e sovranitetit të vendit, ajo nuk është nënshkruar nga Izraeli dhe Hezbollahu, duke lënë të hapura çështjet kryesore si tërheqja e forcave izraelite dhe çarmatimi i Hezbollahut. Ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, tha se Izraeli ka ndalur operacionet sulmuese, por theksoi se trupat do të vazhdojnë të veprojnë në jug të Libanit "derisa të përfundojë misioni" kundër Hezbollahut. Sipas New York Times, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur shqetësim se operacionet e vazhdueshme izraelite mund të rrezikojnë marrëveshjen me Iranin dhe ka shtuar presionin ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu për të ulur intensitetin e ofensivës. Analistët vlerësojnë se marrëveshja mund të krijojë kushte për uljen e tensioneve, por nuk zgjidh mosmarrëveshjet themelore që vazhdojnë ta mbajnë rajonin në pasiguri.