Nga Vendi
21 June 2026
Prokuroria nis procedura për dy raste të dhunës në familje, një 15-vjeçare tentoi t’i japë fund jetës

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedura penale ndaj dy personave të dyshuar për raste të ndara të dhunës në familje, duke kërkuar edhe masa sigurie për mbrojtjen e viktimave. Sipas njoftimit të Prokurorisë Publike, një 56-vjeçar dyshohet se për një periudhë të gjatë ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij, të moshës 18 dhe 15 vjeç. Familja nuk e kishte denoncuar më herët nga frika, ndërsa situata arriti kulmin kur vajza 15-vjeçare, e papërballueshme ndaj kërcënimeve, fyerjeve dhe presionit të vazhdueshëm, tentoi t’i japë fund jetës. Në një rast tjetër, Prokuroria ka hapur hetim edhe ndaj një 33-vjeçari nga Shkupi, i cili dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Sipas Prokurorisë, ai e tërhoqi me forcë drejt automjetit, e kërcënoi dhe tentoi ta godiste me një shishe qelqi. Gruaja arriti të largohej nga automjeti, por i dyshuari tentoi ta detyronte të kthehej brenda, duke i shkaktuar edhe lëndime trupore. "Për të dy rastet, prokurori kompetent i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake caktimin e masave të sigurimit, të cilat përfshijnë ndalimin e largimit nga vendbanimi, detyrimin për paraqitje të rregullt në gjykatë, konfiskimin e përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit, ndalimin e afrimit dhe të çdo forme kontakti me të dëmtuarit, si dhe ndalimin e frekuentimit të vendeve ku ata qëndrojnë ose lëvizin", thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.



Të ndryshme
Më shumë
Masa të forta sigurie, dalin para gjykatës 3 të arrestuarit pas vrasjes së gjyqtarit 9 October 2025
Partitë politike në Maqedoni nuk i respektojnë masat anti-covid, nuk kërkojnë certifikatë vaksinimi nëpër tubime29 September 2021
Shtrenjtimi i energjisë elektrike nxit pakënaqësi në Maqedoninë e Veriut21 June 2021