Nga Vendi
23 June 2026
Qeveria nis më herët shpërndarjen e teksteve shkollore, Janevska: Është krijuar një sistem i qëndrueshëm

Për të tretin vit radhazi, Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë nisur në kohë procesin e furnizimit dhe shpërndarjes së teksteve shkollore për të gjithë nxënësit, ndërsa këtë vit procesi ka filluar më herët se në vitet e kaluara. Gjatë promovimit të teksteve të reja në Shkollën Fillore “Luben Lape” në Aerodrom, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se tashmë është krijuar një sistem i qëndrueshëm për furnizimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore. “Vlerësoj se më në fund kemi sistem të qëndrueshëm për furnizimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore dhe se kjo çështje, të cilën e trashëguam të pazgjidhur, është zgjidhur tashmë. Mori kohë, por ishte e domosdoshme ta tejkalonim”, tha Janevska. Ajo theksoi se këtë vit shkollat përfunduan me sukses procedurat elektronike për porositjen e teksteve, ndërsa për klasat nga e para deri në të tretën janë siguruar dhe dorëzuar rreth 250 mijë tekste të reja gjatë muajit prill. Sipas ministres, gjatë dy viteve të fundit janë kursyer rreth 45 milionë denarë falë çmimeve më të ulëta të shtypjes. Janevska bëri të ditur se në ditët në vijim do të nisë edhe shpërndarja e teksteve për klasat e katërta dhe klasat më të larta të arsimit fillor e të mesëm, duke përfshirë edhe tekstet për të gjitha gjuhët e huaja. Përjashtim do të bëjnë vetëm tekstet për klasën e nëntë dhe vitin e tretë të arsimit të mesëm, pasi për këto nivele do të hartohen programe dhe tekste të reja mësimore. Ndërkohë, drejtori i Shërbimit Pedagogjik, Robert Axhipetrov, njoftoi se këtë vit është realizuar kthimi më i madh i mjeteve financiare për tekstet e dëmtuara ose të humbura, duke theksuar se mekanizmi për rritjen e përgjegjësisë ka filluar të japë rezultate.



Të ndryshme
Më shumë
BE-ja ia rrit shpresat Shkupit për bisedimet e anëtarësimit 4 October 2021
Regjistrohen 10 raste të reja me coronavirus në Maqedoni26 July 2021
Kinë, testohet treni me shpejtësi prej 600 km/h22 June 2020