Avokatët e Popullit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në Prizren, me synim forcimin e koordinimit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe adresimin e çështjeve ndërkufitare që prekin qytetarët e tri vendeve. Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, e cilësoi nënshkrimin e memorandumit si një lajm të mirë për qytetarët, ndërsa Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani, theksoi se qytetarët nuk duhet të ndiejnë pengesa gjatë kalimit të kufijve. Ombudspersoni i Maqedonisë së Veriut, Faton Selami, deklaroi se bashkëpunimi mes institucioneve nuk do të ndalet vetëm me këtë memorandum. Gjatë takimit u diskutua për çështjet civile dhe familjare me element ndërkufitar, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të kategorive të cenueshme, si dhe garancitë ligjore në proceset gjyqësore dhe rastet e privimit të lirisë.