Nga Rajoni
26 June 2026
Gjini: Aleanca nuk hyn në Qeveri, prioritet është zhbllokimi i institucioneve

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se subjekti që ai drejton mbështet çdo marrëveshje politike që mund të ndihmojë në tejkalimin e krizës institucionale në Kosovë, megjithëse nuk beson se një marrëveshje e tillë do të arrihet lehtë. Ai theksoi se në një sistem normal politik nuk duhet të ketë rëndësi nëse fillimisht zgjidhet presidenti apo formohet qeveria, por funksionimi i institucioneve.

Gjini ritheksoi se Aleanca nuk synon të bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës, duke nënvizuar se ky qëndrim nuk ndryshon edhe nëse partia ftohet për bisedime. “Nuk kanë nevojë me na thirrë, për shkak se nuk po duam të jemi pjesë e Qeverisë së Kosovës. Na thirren apo jo, përgjigja ka me qenë e njëjtë”, deklaroi ai.

Sipas tij, prioritet duhet të jenë çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët. “Prano gazin amerikan, nise procesin e termocentralit, ngrite pragun e TVSh-së, hiqe tatimin në pronë për bujqit, ule inflacionin, kryeje infrastrukturën e nisur”, tha Gjini.

Ai shtoi se Aleanca është e interesuar për zhbllokimin e situatës politike, por jo për marrëveshje që, sipas tij, kanë për qëllim vetëm ndarjen e posteve. “Nuk po duam të zhbllokojmë vetëm pse dikujt iu ka tekë me i pasë krejt postet politike. Duhet të zhbllokohet Kosova”, u shpreh Gjini.



Të ndryshme
Më shumë
Procesi i votimit në Saraj vijon normalisht, qytetarët respektojnë masat15 July 2020
Tërmet 4.9 ballë godet zonën kufitare mes Prizrenit dhe Tetovës, qytetarët në panik10 February 2026
Greqia do të “zgjerojë ujërat territorialë”, në mes të përplasjeve me Turqinë26 August 2020