Mbi 2000 persona kanë humbur jetën vetëm gjatë muajit qershor në Francë si pasojë e temperaturave ekstreme, ndërsa vala e të nxehtit po vazhdon të përfshijë një pjesë të madhe të Evropës. Ministrja e Shëndetësisë së Francës, Stefani Rist, ka deklaruar se “midis këtyre 2025 vdekjeve, ka një rritje prej 91% të vdekjeve në shtëpi, krahasuar me javën e kaluar”, duke theksuar se shumica e viktimave ishin rreth moshës 45 vjeç.
Situatë e ngjashme raportohet edhe në shtete të tjera evropiane. Në Belgjikë janë regjistruar mbi 1,200 vdekje gjatë valës së të nxehtit, ndërsa në Holandë autoritetet flasin për rreth 480 raste fatale, kryesisht te të moshuarit. Meteorologët paralajmërojnë për një tjetër valë të nxehti gjatë fundjavës në Atlantik, e cila pritet të përfshijë edhe Spanjën, ku deri më tani vlerësohen rreth 900 viktima si pasojë e temperaturave të larta.
Ndërkohë, Gjermania mbetet nën alarm, pasi fundjava me temperatura rekord ka shkaktuar probleme në spitale dhe shtëpi të kujdesit, dëmtime në infrastrukturën rrugore dhe vështirësi në qarkullimin hekurudhor. Ekspertët paralajmërojnë se episode të tilla ekstreme të të nxehtit do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive për shkak të ndryshimeve klimatike, duke theksuar se Evropa po ngrohet me ritme dy herë më të shpejta se mesatarja globale. /Alsat.mk