Ambiciet e Serbisë për të avancuar në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian kanë hasur në një pengesë të re, pasi ambasadorët e vendeve anëtare nuk arritën të sigurojnë unanimitetin e nevojshëm për hapjen e Klasterit 3 të negociatave. Sipas burimeve diplomatike evropiane, tetë shtete anëtare, Holanda, Suedia, Finlanda, Belgjika, Estonia, Lituania, Bullgaria dhe Kroacia, kundërshtuan hapjen e këtij kapitulli që lidhet me konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse. Disa vende të tjera, si Danimarka, Luksemburgu dhe Letonia, kërkuan garanci shtesë për progresin e Beogradit, ndërsa Franca vazhdon të mbështesë perspektivën evropiane të Serbisë. Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar më herët se Bashkimi Evropian ka nevojë për një “Serbi të fortë dhe demokratike”. Kundërshtimet e disa vendeve të BE-së lidhen kryesisht me shqetësimet për sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, lirinë e medias dhe faktin që Serbia ende nuk është harmonizuar plotësisht me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë. Megjithatë, Komisioni Evropian vlerëson se Serbia ka shënuar përparime në disa fusha, përfshirë ndryshimet në legjislacionin për drejtësinë, reformën zgjedhore dhe bashkëpunimin në politikën e jashtme e të sigurisë. Ndërkohë, Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Beogradi përshpejtimin e reformave, forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Raportuesi për Serbinë, Tonino Picula, ka deklaruar se “situata në vend është përkeqësuar gjatë viteve të fundit dhe ritmi i reformave është ngadalësuar ndjeshëm”. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka përsëritur se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe se autoritetet do të shqyrtojnë kërkesat e Bashkimit Evropian për të vazhduar procesin e anëtarësimit.