Disa zyrtarë nga Maqedonia e Veriut janë përballur me ndalesë për hyrje në Shqipëri, raporton TV21. Bëhet fjalë për koordinatorin e grupit parlamentar të VLEN-it, deputetin Bekim Qoku, deputetin Adnan Azizi dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani. Sipas deklarimeve të tyre, ngjarja ka ndodhur sot në pikën kufitare Qafë Thanë, ku ata tentuan të hynin në Shqipëri me pasaporta diplomatike. Zyrtarët kanë pretenduar se janë mbajtur rreth një orë në pritje, pa marrë sqarime për arsyen e ndalesës. Pas pritjes, sipas tyre, një pjesëtar i policisë kufitare u ka komunikuar se tre prej tyre mund të vazhdonin udhëtimin, ndërsa një person i katërt që ishte me ta nuk lejohej të kalonte kufirin. Në shenjë revolte, ata kanë vendosur të kthehen, ndërsa më pas u është bërë e ditur se ndaj tyre ekzistonte ndalesë hyrjeje në Shqipëri. Sipas burimeve të TV21, kjo masë dyshohet se lidhet me pretendimet për përfshirjen e tyre në organizimin e protestave në Tiranë, të njohura si “Revolucioni Flamingo”. “Revolucioni Flamingo” nisi në fund të majit 2026 si një lëvizje qytetare kundër ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura të Lagunës së Nartës, Zvërnecit dhe projekteve të zhvillimit në Ishullin e Sazanit, por më pas mori një dimension më të gjerë politik, duke u shndërruar në një protestë kundër qeverisë së kryeministrit shqiptar Edi Rama.