Shkupi do të pasurojë kalendarin e tij kulturor me një ngjarje të re artistike. Me iniciativë të Komunës së Çairit, nga 23 deri më 26 korrik do të organizohet për herë të parë Festivali Ndërkombëtar i Muzikës “Çarshia”, i cili synon të shndërrohet në një traditë të përvitshme dhe në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend dhe rajon. Skenat e Suli Anit dhe Kurshumli Anit do të mirëpresin artistë të njohur vendas dhe ndërkombëtarë, nën udhëheqjen artistike të divës së operës Inva Mula dhe sopranos Dëshira Ahmeti. Gjatë katër netëve të festivalit, publiku do të ketë mundësi të ndjekë koncerte të muzikës klasike, muzikës kamertale, gala operistike dhe interpretime të muzikës shqiptare. Organizatorët theksojnë se festivali synon t’i japë jetë hapësirave historike të Çarshisë së Vjetër përmes artit, muzikës dhe kulturës, duke afirmuar Çairin dhe Çarshinë e Vjetër si një pikëtakim të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore dhe dialogut artistik.