Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka kërkuar një reagim më të fortë dhe më konkret nga Shqipëria pas deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq lidhur me spastrimin etnik të Kosovës. Në një intervistë për “Euronews Albania”, ai tha se deklaratat e saj nuk duhet të shihen vetëm si retorikë, por edhe si kërcënime që lidhen me të kaluarën. “Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve dhe në Kushtetutën e saj ka obligim për mbrojtjen e shqiptarëve dhe interesave të tyre. Unë pres një reagim faktik dhe aktiv ndaj këtyre kërcënimeve. Këto nuk janë vetëm deklarata, por edhe kërcënime që bazohen në të kaluarën tonë shumë të dhimbshme dhe në sjelljen e Serbisë”, u shpreh Sveçla. Ai shtoi se Shqipëria duhet të angazhohet më fuqishëm në demaskimin e politikave të Beogradit, duke kujtuar se Paunoviq ka qenë pjesë e Grupit të Miqësisë Serbi–Shqipëri. “Duhet një demaskim i kësaj sjelljeje dyfytyrëshe të Beogradit, sepse nuk ka probleme me Kosovën, por probleme me shqiptarët”, deklaroi ai.