Sipas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë, ministrja e Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka vazhduar të marrë pagë si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik të Pejës deri më 15 prill 2025, ndonëse ky institucion ishte mbyllur zyrtarisht në tetor të vitit 2021. Dokumentet e analizuara nga Radio Evropa e Lirë tregojnë se vetë Paunoviq kishte dorëzuar kërkesën për fshirjen e institucionit nga regjistri i institucioneve shëndetësore. Gazetari i Radio Gorazhdecit, Damjan Portiq, konfirmoi se farmacia me seli në Gorazhdec nuk ekziston më. Sipas deklarimeve të të ardhurave dhe pasurisë të dorëzuara nga Paunoviq në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi, ajo ka përfituar të ardhura nga ky funksion deri në emërimin e saj si ministre në prill të vitit 2025. Radio Evropa e Lirë bën të ditur se Qeveria e Serbisë, Zyra për Kosovën, Fondi Republikan për Sigurime Shëndetësore, ministritë përgjegjëse dhe kabineti i ministres nuk iu përgjigjën pyetjeve lidhur me këto të ardhura dhe funksionin e saj në një institucion që kishte pushuar së ekzistuari. Paunoviq ishte në qendër të reagimeve edhe pas deklaratës së saj për Kosovën, kur tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën. Më vonë ajo pretendoi se deklarata ishte nxjerrë jashtë kontekstit, por shtoi se qëndron pas fjalëve të saj, duke thënë se do të ndryshonte vetëm termin “spastrim etnik” me “dëbim” për të shmangur, sipas saj, linçimin publik. Ajo u kërkoi falje presidentit dhe kryeministrit të Serbisë për reagimet e shkaktuara, por jo shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë, autoritetet e Kosovës e shpallën person të padëshirueshëm, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi se qëndrimi i saj nuk përfaqëson pozicionin zyrtar të Beogradit.