Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Martin Pammer, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, perspektivën evropiane dhe sfidat institucionale. Ahmeti bëri të ditur se gjatë takimit është zhvilluar, siç e cilësoi ai, një “bisedë e hapur dhe e frytshme”, duke ritheksuar se “rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian mbetet orientimi ynë strategjik dhe nuk ka alternativë tjetër”. Sipas Ahmetit, përparimi drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian kërkon respektimin e Marrëveshjes së Ohrit, forcimin e sundimit të së drejtës dhe funksionimin e institucioneve mbi parimet e barazisë dhe demokracisë. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përmbushjes së obligimeve që burojnë nga procesi eurointegrues. Në qëndrimin e tij, kryetari i BDI-së vlerësoi se “ndërtimi dhe kultivimi i marrëdhënieve të mira ndëretnike, politika e fqinjësisë së mirë dhe krijimi i një ekonomie që garanton mirëqenie për qytetarët” janë ndër shtyllat kryesore për të ardhmen evropiane të vendit. Ahmeti theksoi se ruajtja e këtyre vlerave është e domosdoshme që Maqedonia e Veriut të ecë përpara “me siguri, stabilitet dhe dinjitet”.