Nga Rajoni
31 July 2026
Vuçiqi rikthen retorikën për Kosovën, Gjermania: E kemi njohur si shtet të pavarur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka rikthyer në deklaratat e tij retorikën për Kosovën, duke iu referuar asaj si pjesë të Serbisë dhe duke u bërë thirrje oficerëve të rinj ushtarakë që të mbrojnë integritetin territorial të vendit. Deklaratat kanë nxitur reagimin e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, e cila ka rikujtuar qëndrimin zyrtar të Berlinit për statusin e Kosovës. Në një përgjigje për Klan Kosova, një zëdhënës i ambasadës theksoi se Gjermania e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur që nga viti 2008 dhe se mbetet e përkushtuar ndaj sovranitetit të saj dhe integrimit evropian. “Gjermania e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur që nga viti 2008 dhe mbetet e përkushtuar në mbështetjen e sovranitetit të Kosovës dhe integrimit të saj evropian”, tha zëdhënësi i ambasadës. Sipas tij, për të avancuar në rrugën evropiane, Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që pengojnë këtë objektiv”, shtoi ai. Edhe Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për shmangien e deklaratave dhe veprimeve që mund të pengojnë procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Vetëm përmes dialogut mund të arrihet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në këtë qëllim”, është shprehur një zëdhënës i Komisionit Evropian. BE-ja e konsideron përparimin në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si një kusht të rëndësishëm për avancimin e të dyja palëve në rrugën e tyre evropiane.



Të ndryshme
Më shumë
Të enjten në mesnatë përfundon inspektimi i Listës Zgjedhore në Maqedoni 6 September 2021
Osmani për France24: "Jo Separatistë, por Çlirimtarë Çliruan Kosovën nga një Regjim Gjenocidal"12 June 2026
Ali Ahmeti: 9 korriku 1997 në Gostivar mbetet kujtesë që historia të mos përsëritet 9 July 2026