Shqipëria dhe Gjermania kanë forcuar bashkëpunimin në sektorin e energjisë përmes nënshkrimit të tre marrëveshjeve, të cilat përfshijnë rreth 90 milionë euro hua dhe 24 milionë euro grant. Investimet synojnë modernizimin e sistemit energjetik, rritjen e eficiencës së energjisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për studentët. Marrëveshjet u firmosën nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner. Sipas Karakaçit, një prej projekteve kryesore parashikon digjitalizimin e sistemit të transmetimit të energjisë, duke automatizuar proceset që lidhen me ndërlidhjen e nënstacioneve dhe operimin energjetik. Një tjetër marrëveshje i kushtohet rehabilitimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës, një nga asetet më të rëndësishme publike në sektorin energjetik, ndërsa projekti i tretë synon rikonstruksionin e konvikteve në Qytetin Studenti me fokus në eficiencën e energjisë. Ky investim do të financohet me një grant prej 24 milionë eurosh nga qeveria gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW). "Janë projekte që shkojnë në të mirën publike, për studentët, për një jetë më të mirë dhe një proces më të mirë të të nxënit, por edhe për kursimin energjetik, pasi të gjitha ambientet do të jenë me eficiencë energjie", u shpreh ministri Karakaçi, duke falënderuar qeverinë gjermane dhe KfW-në për mbështetjen e vazhdueshme. Edhe ambasadori gjerman Karl Bergner vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, duke theksuar se këto investime do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe modernizimin e mëtejshëm të Shqipërisë.