Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset shqiptare në vend dhe në diasporë. Drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së, Durim Zeqiri, së bashku me anëtarët e Këshillit Drejtues, Agron Mustafi dhe Sami Mustafa, pritën në takim një delegacion të Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, të përbërë nga përfaqësues të Luginës së Preshevës, Kosovës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë. Gjatë takimit u diskutua zyrtarizimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me fokus në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta që synojnë zhvillimin e sektorit privat dhe forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet bizneseve shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe diasporë. Delegacioni i Rrjetit Global përfshinte sekretarin e përgjithshëm dhe përfaqësuesin për Luginën e Preshevës, Xhelal Memetin, si dhe përfaqësuesit Shkelzen Jusaj për Kosovën, Ismet Mehmeti për Francën, Semi Sylejmani për Mbretërinë e Bashkuar dhe Bedri Suka për Italinë. Takimi synon të krijojë një bazë më të qëndrueshme për bashkëpunim ekonomik, shkëmbim përvojash dhe lidhje të reja ndërmjet sipërmarrësve shqiptarë brenda vendit dhe atyre që veprojnë në tregjet ndërkombëtare.