Nga Rajoni
7 August 2026
Rashiti: Kosova në krizë të rëndë politike, përgjegjësia kryesore i takon fituesit të zgjedhjeve

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, vlerëson se Kosova ndodhet në një situatë të vështirë kushtetuese dhe politike, ndërsa mungesa e marrëveshjeve mes subjekteve politike po e thellon pasigurinë për funksionimin e institucioneve. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Rashiti tha se kriza aktuale është rezultat i përplasjeve politike, ambicieve dhe mungesës së kompromisit mes partive. Sipas tij, përgjegjësinë më të madhe për mosfunksionimin institucional e bart subjekti që ka dalë fitues në zgjedhje. “Përgjegjësinë kryesore e bart ai që i fiton zgjedhjet”, u shpreh Rashiti, duke shtuar se përgjegjësi kanë edhe partitë e tjera politike për situatën e krijuar. Ai kritikoi qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila sipas tij po synon të ketë kontroll mbi të gjitha institucionet, ndërsa përmendi se Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon një ndarje të pushteteve për të krijuar një ekuilibër institucional. Rashiti tha se zgjedhjet e reja nuk e kanë zgjidhur krizën, por e kanë bërë situatën edhe më të ndërlikuar, pasi Kosova aktualisht përballet me vështirësi në formimin e institucioneve funksionale. “Nuk e di me çfarë logjike i është dukur dikujt që zgjedhjet e reja e thjeshtësojnë situatën. Zgjedhjet e reja e kanë komplikuar procesin”, deklaroi ai. Duke folur për çështjen e presidentit, Rashiti tha se një marrëveshje mund të arrihet nëse ekziston vullnet politik, ndërsa theksoi se kreu i shtetit duhet të jetë një figurë me përvojë institucionale dhe politike. “Nuk duhet të jetë tërësisht jopolitik, presidenti duhet të ketë përvojë institucionale politike, sidomos institucionale”, tha Rashiti. Sipas tij, pa një ndryshim të qasjes politike dhe pa gatishmëri për dialog e kompromis, Kosova rrezikon të vazhdojë ciklin e krizave institucionale. Ai paralajmëroi se kjo situatë po ndikon edhe në perceptimin e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët presin një stabilizim dhe një mënyrë më funksionale të politikëbërjes në vend. 



Të ndryshme
Më shumë
Sot lirohen nga spitali 26 të lënduar në aksidentin në Kroaci, pritet kthimi i tyre26 July 2021
Taravari: Në Gostivar shkojmë për fitore në rreth të parë 9 July 2021
Zidane: Real Madridi s’ka fituar asgjë ende 1 July 2020