Tetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të Shqipërisë, ndërsa ekipet e emergjencave po punojnë për shuarjen e tyre dhe për mbajtjen nën kontroll të situatës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 të së dielës janë evidentuar 27 vatra zjarri në të gjithë vendin, tetë prej të cilave mbeten aktive dhe katër të tjera janë nën monitorim. Në operacione janë angazhuar 487 forca dhe 30 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të tyre janë vendosur 100 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”. Ndër vatrat kryesore aktive janë ato në Dajt, Gurë-Lurë, Qafë Helmes, Bruç, Lufaj, Fushë-Lajë dhe Rrjoll. Në Dajt ndërhyrja po vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë, ndërsa, sipas autoriteteve, zonat e banuara nuk paraqiten në rrezik. Situatë e ngjashme raportohet edhe në Gurë-Lurë, ku për shuarjen e zjarrit janë angazhuar shërbimet vendore, policia, ADZM-ja, vullnetarë dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy avionë “Air Tractor”. Hapja e korridoreve në terren ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së flakëve në drejtim të banesave. Në Lufaj të Mirditës ndërhyrja po kryhet nga toka dhe ajri, ndërsa zjarri në Tharri është vënë nën kontroll. Në Zhejë të Kurbinit, ndërkohë, zjarri është shuar plotësisht. Në Fushë-Lajë të Pukës vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Në Rrjoll, situata po ndiqet nga afër edhe përmes dronëve.