Nga Bota
19 August 2026
Trump paralajmëron takim me Kim Jong-un këtë vit

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se synon të takohet sërish me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, brenda këtij viti, duke theksuar se mes tyre ekziston një marrëdhënie e mirë. I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse planifikon bisedime me liderin koreano-verior, Trump u përgjigj shkurt: “Po, do ta takoj”. Megjithatë, ende nuk ka një datë apo marrëveshje zyrtare për takimin. Sipas raportimeve të mediave amerikane, një mundësi për zhvillimin e tij mund të jetë samiti i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që pritet të mbahet në nëntor në Shenzhen të Kinës. Trump ka kujtuar marrëdhënien e tij me Kim Jong-un dhe ka mbrojtur qasjen e drejtpërdrejtë diplomatike, pavarësisht se tri takimet e zhvilluara gjatë mandatit të tij të parë nuk sollën një marrëveshje konkrete për çështjen bërthamore të Koresë së Veriut. Takimi i vitit 2019 në zonën e demilitarizuar mbeti veçanërisht simbolik, ndërsa negociatat për denuklearizimin u bllokuan. Në të njëjtën deklaratë, Trump tha se Koreja e Veriut posedon “57 armë bërthamore shumë të fuqishme”, një vlerësim dukshëm më specifik se shifrat që publikohen zakonisht nga autoritetet amerikane. Raportimet ndërkombëtare vlerësojnë se arsenali bërthamor i Phenianit është zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit. “Po të isha unë president, nuk do ta kisha lejuar këtë”, tha Trump, duke iu referuar arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut dhe duke ia atribuar situatën administratave të mëparshme. Deklarata e Trumpit vjen pak ditë pasi Uashingtoni njoftoi se do të reduktojë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, një lëvizje që ai e lidhi me përpjekjet për të ulur tensionet me Phenianin. Ndërkohë, nga Koreja e Veriut nuk ka pasur konfirmim për një takim të ri, ndërsa Kim Yo-jong, motra dhe këshilltarja e Kim Jong-unit, ka vënë në dyshim pretendimet për komunikim të fundit mes dy liderëve.



Të ndryshme
Më shumë
Dy punonjës të ambulancës kapen duke kryer marrëdhënie seksuale, pushohen nga puna20 August 2021
Siljanovska-Davkova e hapur për dialog me Bullgarinë, thekson nevojën për stabilitet politik27 April 2026
E akuzoi për operacione plastike, Luana Vjollca i kthehet komentueses 3 September 2021