Nga Rajoni
20 August 2026
Greqia dhe Turqia përplasen sërish në Egje, energjia e gjelbër rikthen tensionet

Një tjetër përplasje po rikthen tensionet mes Greqisë dhe Turqisë në Egje, këtë herë për shkak të planeve greke për energjinë e rinovueshme dhe hartës së re për zhvillimin e projekteve detare.

Ministria e Jashtme e Turqisë reagoi më 19 gusht ndaj kuadrit të ri grek për energjinë e rinovueshme, duke argumentuar se ai përfshin edhe zona dhe formacione gjeografike për të cilat Ankaraja pretendon se sovraniteti nuk i është kaluar Greqisë përmes traktateve ndërkombëtare. Sipas zëdhënësit turk Öncü Keçeli, nisma greke “nuk do të ketë asnjë pasojë juridike për Turqinë” dhe nuk do të ndryshojë qëndrimin e Ankarasë për çështjet e Egjeut.

Ankaraja kërkon gjithashtu që të shmangen veprimet e njëanshme në detet e mbyllura ose gjysmë të mbyllura, duke theksuar se e drejta ndërkombëtare detare inkurajon bashkëpunimin mes shteteve bregdetare.

Përplasja e fundit vjen vetëm pak ditë pasi Turqia shpalli, më 15 gusht, dy parqe kombëtare detare, një në pjesën verilindore të Egjeut dhe tjetrin në Mesdheun Lindor. Greqia reagoi duke i konsideruar të paligjshme në pjesën që, sipas Athinës, shtrihet përtej ujërave territoriale turke dhe në zona të pretenduara si pjesë e shelfit kontinental grek.

Athina theksoi se këto veprime “nuk mund të krijojnë të drejta të reja” dhe nuk mund të ndryshojnë të drejtat që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare. Greqia kujtoi gjithashtu se ka ndërmarrë nisma për parqe detare në Jon dhe në Egje, duke deklaruar se ato janë krijuar ekskluzivisht brenda ujërave të saj territoriale.

Kështu, pas një periudhe relativisht të qetë në marrëdhëniet dypalëshe, çështjet e energjisë së gjelbër, mbrojtjes së mjedisit dhe parqeve detare po sjellin sërish në qendër të vëmendjes mosmarrëveshjet e vjetra për sovranitetin dhe zonat detare në Egje.



Të ndryshme
Më shumë
Gashi nuk është për zgjedhje të parakohshme: Të përpiqemi të përfundojmë mandatet, më pas qytetarët të na vlerësojnë12 January 2026
Burri i dehur e rrahu gruan e tij pasi kjo nuk e përshëndeti 1 July 2021
KSHZ: Deri në orën 13:30 asnjë ankesë për përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultatit zgjedhor18 July 2020