Ish-diplomati dhe profesori universitar Blerim Canaj ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet. Paneli i Gjykatës Speciale i shpalli ata përgjegjës penalisht për vepra të caktuara të krimeve të luftës, ndërsa për akuzat për krime kundër njerëzimit të katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm. Vendimi është i shkallës së parë dhe ndaj tij mund të ushtrohet ankesë. Në reagimin e tij, Canaj e sheh vendimin edhe përmes një mesazhi më të gjerë mbi mënyrën se si mund të trajtohen ata që marrin pjesë në luftëra për çlirim. “Mesazhi që u përcoll sot nga Gjykata Speciale duket i qartë: në rast lufte, mos u kurseni… Sepse edhe nëse bëni luftë për liri dhe dëshmoni se jeni plotësisht të pafajshëm, për ni llaf goje e për dëshmi të tipit ‘m’ka thanë e i thash’, në fund përfundoni duke u trajtuar sikur jeni fajtorë dhe do të trajtoheni shumë më keq se masakruesi”, shkruan ai. Canaj vijon reagimin e tij me një reflektim të ashpër mbi paradoksin që, sipas tij, përcillet nga ky proces. “Pra, mesazhi që del është ky: në rast se sulmoheni, ja dorëzohuni, ja hyni n’luftë. Po kur t’hyni n’luftë, mos u kurseni se historia po na tregon se gjithmonë gjenden njerëz që s’ju kursejnë as juve, madje më të kqinjtë janë ata të cilët e shijojnë lirinë për të cilën u sakrifikove ti!”, shprehet ai. Në fund, profesori universitar e mbyll reagimin me një koment ironik ndaj festimeve që, sipas tij, janë parë pas vendimit në Hagë. “E ironia më e madhe? Sot po i shoh t’ festojnë pikërisht mbetjet Millosheviqit. Vazhdoni…”, shkruan Canaj. Procesi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi në prill të vitit 2023, ndërsa të katër ish-krerët ishin transferuar në paraburgimin e Dhomave të Specializuara në Hagë në nëntor të vitit 2020.