Deputeti flamand (deputet i Parlamentit të Flandrës, një nga rajonet e Belgjikës) Frédéric Erens, nga partia Vlaams Belang, u dërgua në spital pasi qëndroi për rreth 13 orë i bllokuar në një tualet të Parlamentit në Bruksel.
Erens mbeti i bllokuar pasi mekanizmi i derës së tualetit pësoi defekt dhe ai nuk mundi të dilte.
Shërbimet e emergjencës ndërhynë të mërkurën në mëngjes, 16 shtator, dhe përdorën një levë metalike për të hapur me forcë derën, raportoi VTM Nieuws.
Pas nxjerrjes nga tualeti, 58-vjeçari u dërgua në spitalin Saint-Jean në Bruksel, pasi kishte vështirësi në frymëmarrje.
Ende nuk dihen detaje të tjera mbi gjendjen e tij shëndetësore apo rrethanat e plota të incidentit.
Erens u zgjodh deputet në Parlamentin Flamand në vitin 2024, duke përfaqësuar zonën e Brabantit Flamand. Ai është anëtar i komisioneve për Lëvizshmërinë dhe Punët Publike, si dhe për Politikën e Jashtme. Gjithashtu, ai është këshilltar bashkiak në Keerbergen.