Nga Bota
23 September 2026
Macron në OKB: Është e turpshme të mos reagojmë përballë asaj që po ndodh në Gaza

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka kritikuar pasivitetin ndërkombëtar për situatën në Gaza, duke thënë se deklaratat për paqe nuk kanë sjellë përmirësim të situatës humanitare.

Duke folur para përfaqësuesve të shteteve në OKB, ai kujtoi se një vit më parë, në të njëjtën sallë, disa dhjetëra shtete njohën Palestinën.

“E kuptoj se disa janë shumë cinikë. E njohët në letër. Shikoni realitetin e situatës. Por çfarë vlere ka besueshmëria jonë nëse qëndrojmë pasivë përballë asaj që po ndodh në Gaza?”, tha Macron.

Ai kritikoi gjithashtu pretendimet se paqja është arritur, duke theksuar se kjo nuk ka sjellë hapjen e rrugës për dërgesat humanitare.

“Është e turpshme”, u shpreh presidenti francez.

Macron e zhvendosi vëmendjen edhe te situata në Bregun Perëndimor, ku tha se shkeljet po ndodhin “ditë pas dite”. Ai pyeti se në emër të kujt po ndërmerren këto veprime, duke theksuar se Hamasi nuk ka qenë aktiv në Bregun Perëndimor.

Sipas Macron, respektimi i të drejtës së popullit palestinez për të ekzistuar është thelbësor për sigurinë e Izraelit.

“Ajo që na nevojitet është respektimi i të drejtës legjitime të popullit palestinez, i të drejtës së tij legjitime për të ekzistuar. Kjo është parakusht për sigurinë, sot dhe nesër, të popullit të Izraelit”, deklaroi ai.

Macron kritikoi edhe qëndrimin se siguria e Izraelit kërkon shkeljen e sovranitetit të shteteve fqinje, duke argumentuar se një qasje e tillë, sipas tij, në vend se ta forcojë sigurinë e Izraelit, e dobëson atë.

“Të gjithë ata që pretendojnë se siguria e Izraelit kërkon shkeljen e sovranitetit të të gjitha shteteve fqinje të tij, po bëjnë një gabim. Ata po e dobësojnë sigurinë e Izraelit sot dhe, në vazhdim, po e kërcënojnë sigurinë e Izraelit”, tha Macron.

Ndryshe, Izraelin e kritikoi gjatë ditës edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.



Të ndryshme
Më shumë
Ahmeti për qeverinë e re: Këto janë vijat e kuqe17 July 2020
MPB: Është miratuar sigurim 24 orësh për Danella Arsovskën12 July 2025
Ja ku i la fëmijët Arjola Demiri që hyri në “Big Brother VIP” 7 October 2021