Nga Vendi
27 September 2026
Shkupi i bashkohet Prishtinës me thirrjen: Liri për çlirimtarët

Shkupit iu bashkua sot zërit të Prishtinës dhe qyteteve të tjera, përmes një marshi paqësor në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mesazhi i përcjellë nga qytetarët ishte i qartë: “Liri për çlirimtarët! Liri për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”.

Në lidhje me marshimin, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe një prej themeluesve të UÇK-së, tha se “ata që luftuan për lirinë e Kosovës nuk mund të gjykohen mbi akuza të fabrikuara dhe narrativave të ndërtuara nga Beogradi e Moska”.

Ahmeti theksoi se, sipas tij, drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe në një proces të drejtë.

“Drejtësia duhet të mbështetet në të vërtetën, në fakte dhe në një proces të drejtë”, u shpreh ai.

Ai e cilësoi marshimin si një shprehje solidariteti me çlirimtarët dhe tha se zëri i qytetarëve nga Shkupi, Prishtina dhe qytete të tjera kishte të njëjtën kërkesë: “drejtësi për çlirimtarët dhe liri për ata që luftuan për lirinë tonë”.

Marshimi në Shkup vjen në kuadër të aktiviteteve mbështetëse për ish-krerët dhe pjesëtarët e UÇK-së, në një periudhë kur çështja e procesit gjyqësor në Hagë ka rikthyer në vëmendje diskutimin për luftën e Kosovës, drejtësinë dhe mënyrën e trajtimit të së kaluarës së saj.



Të ndryshme
Më shumë
Krerët e spektrit politik në Maqedoninë e Veriut urojnë fitoren e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje29 December 2025
Covid 19 në Tetovë, regjistrohet një vdekje 14 September 2021
LSDM: Ja çfarë Qeverie do të formojm ne27 July 2020