Vendimi për pranimin dhe shqyrtimin e projekt-rezolutës lidhur me rastin e njohur si “Sarajevo Safari” është shtyrë për muajin dhjetor, pas një debati të ashpër në Komisionin për Çështje Juridike dhe të Drejta të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Anëtari i këtij komisioni dhe pjesë e delegacionit të Serbisë, Aleksandar Mirkoviq, e kundërshtoi propozimin, duke pretenduar se informacionet mbi rastin tashmë janë hedhur poshtë nga organet gjyqësore të disa vendeve evropiane dhe janë kundërshtuar edhe nga media të rëndësishme evropiane.
Pas debatit mes anëtarëve të komisionit, kryetari Eerik-Niiles Kross propozoi që vendimi përfundimtar të shtyhet për mbledhjen e radhës, e cila do të mbahet në dhjetor. Propozimi u miratua.
Rasti “Sarajevo Safari” lidhet me një hetim të nisur nga drejtësia italiane, bazuar në pretendimet se gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, nga viti 1992 deri më 1995, disa persona nga Italia kishin paguar për t’u dërguar në pozicionet e forcave serbe të Bosnjës që mbanin Sarajevën nën rrethim, ku më pas dyshohet se kishin qëlluar mbi civilë.
Sipas raportimeve, në rast janë përfshirë edhe persona nga shtete të tjera evropiane, ndërsa në hetime janë përfshirë edhe autoritetet gjyqësore të Austrisë, Zvicrës dhe Belgjikës.
Në kuadër të raportimeve për këtë rast, disa media evropiane kanë lidhur edhe emrin e presidentit serb në largim, Aleksandar Vuciq, me ekspedita ku shtetas të pasur të huaj dyshohet se kishin paguar për të qëlluar mbi njerëz gjatë rrethimit të Sarajevës. Vuciq i ka mohuar këto pretendime dhe ka kërcënuar me padi ndaj mediave që e kanë lidhur me rastin.
Sesioni i vjeshtës i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg po mbahet nga 28 shtatori deri më 2 tetor 2026.